Pak ditë më parë, VROJTUESIT denoncoi hapjen e një tenderi me vlerë mbi 20 milionë lekë nga Bashkia Himarë për ndërtimin e shkallëve që zbresin drejt Gjirit të Filikurit, një prej plazheve më të egra dhe më të paprekura të Rivierës Shqiptare.
Në atë kohë u ngritën pikëpyetje mbi nevojën e këtij investimi dhe ndikimin që ai mund të kishte në një zonë të mbrojtur natyralisht nga terreni i vështirë.
Sot, denoncimet e mbërritura në redaksinë e VROJTUESIT duket se po i japin një tjetër dimension kësaj historie.
Sipas pushuesve që kanë kontaktuar redaksinë, në Gjirin e Filikurit janë vendosur çadra dhe pufe me logon e Bashkisë Himarë, për përdorimin e të cilave u kërkohen 500 lekë për çadër dhe deri në 1000 lekë për pufe. Qytetarët pretendojnë se pagesat janë kryer pa u pajisur me kupon tatimor.
Nëse këto denoncime rezultojnë të vërteta, lindin një sërë pyetjesh me interes publik. Kush e administron këtë aktivitet? Në bazë të cilit vendim janë vendosur çadrat në një plazh publik? A janë të deklaruara të ardhurat që mblidhen çdo ditë nga pushuesit? Dhe mbi të gjitha, pse nuk pajisen qytetarët me dokument tatimor për pagesat që kryejnë?
Filikuri është konsideruar prej vitesh një nga gjiret më të paprekura të bregdetit shqiptar, pikërisht për shkak të aksesit të vështirë dhe mungesës së ndërtimeve. Ndërtimi i shkallëve do ta bëjë këtë destinacion lehtësisht të aksesueshëm për mijëra vizitorë çdo sezon, çka shton dyshimet se investimi publik mund të shoqërohet me një model të ri shfrytëzimi ekonomik të kësaj pasurie natyrore.
Qytetarët që kanë denoncuar situatën shprehen se krijohet përshtypja se investimi për shkallët nuk ka si qëllim vetëm përmirësimin e aksesit, por edhe krijimin e kushteve për zhvillimin e një aktiviteti fitimprurës në një hapësirë që deri më sot ka qenë e lirë për të gjithë.


