Tre turistë gjermanë janë shpëtuar pas disa orësh kërkimesh në zonën e Malit të Çikës, pasi kishin humbur orientimin dhe kishin mbetur të bllokuar mes shkëmbinjve.
Operacioni i kërkim-shpëtimit zgjati rreth katër orë dhe u zhvillua në një terren të vështirë. Pas lokalizimit të turistëve, ndërhyrja nga ajri me helikopter bëri të mundur nxjerrjen e tyre nga zona e rrezikshme.
Tre të rinjtë u transportuan drejt Qendrës Shëndetësore të Palasës, ku morën ndihmën e parë mjekësore. Fatmirësisht, ata nuk kanë pësuar pasoja të rënda dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Turistët kishin kërkuar ndihmë përmes sinjalit SOS, pasi kishin humbur rrugën dhe nuk mund të largoheshin nga terreni shkëmbor ku kishin mbetur të izoluar.
Operacioni përfundoi me sukses pas ndërhyrjes së ekipeve të kërkim-shpëtimit nga toka dhe ajri.
Ky është rasti i pestë brenda vetëm dy muajve ku turistë të huaj humbasin orientimin, bllokohen ose lëndohen gjatë eksplorimit të zonës së Malit të Çikës, duke rikthyer vëmendjen te rreziku që paraqet terreni i vështirë për vizitorët.


