Një pamje e pazakontë ka tërhequr vëmendjen e pushuesve në Borsh, ku një peshkaqen i llojit “dhelpër” ka përfunduar në rrjetat e peshkatarëve.
Sipas peshkatarëve, peshkaqeni kishte një gjatësi rreth 2 metra dhe peshonte afërsisht 35 kilogramë. Peshkaqeni ra në rrjetat e tyre gjatë aktivitetit të zakonshëm të peshkimit në detin Jon.
Menjëherë pas nxjerrjes në breg, dhjetëra persona u afruan për ta parë nga afër, ndërsa shumë prej tyre realizuan foto dhe video që po qarkullojnë në rrjetet sociale.
Peshkaqeni dhelpër është një specie që gjendet edhe në ujërat shqiptare, por kapja e tij mbetet një ngjarje relativisht e rrallë. Prania e tij në brigjet e rivierës shqiptare ka zgjuar interes të veçantë, sidomos në këtë periudhë kur zona frekuentohet nga mijëra pushues.
Ekspertët kanë theksuar edhe më herët se peshkaqeni dhelpër nuk konsiderohet zakonisht një kërcënim i drejtpërdrejtë për njerëzit, pavarësisht përmasave dhe pamjes së tij imponuese.


