Një gjueti spektakolare nën ujë është regjistruar këtë të mërkurë në ujërat e Vlorës, ku peshkatari me shtizë Armando Fili ka arritur të kapë një gof gjigant me peshë rreth 27 kilogramë.
50-vjeçari ishte zhytur në zonën e njohur si Spitaliera, pranë Radhimës, në afërsi të anijes italiane të mbytur, kur hasi një tufë peshqish gof. Sipas tij, ai goditi njërin prej tyre në pjesën e kokës me shtizë, por për shkak të përmasave të mëdha të peshkut iu deshën më shumë se 30 minuta për ta nxjerrë në sipërfaqe.
Pas përfundimit të “betejës” në ujë, peshku u transportua në qendrën e peshkimit në Radhimë, ku tërhoqi vëmendjen e peshkatarëve dhe banorëve të zonës.
Kjo nuk është hera e parë që Armando Fili bëhet protagonist i një kapjeje të tillë. Edhe më parë ai është bërë i njohur pasi kapi një tjetër gof gjigant në zonën e Lungomares në Vlorë, pamje që u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.


