Tre të rinj janë arrestuar nga Policia e Himarës, pasi dyshohet se tentuan t’i grabisnin kursimet një 70-vjeçari në fshatin Borsh, duke e kanosur me një imitues armë zjarri (pistoletë çakmak).
Operacioni policor i koduar “Shuma” u finalizua pas kallëzimit të të moshuarit, i cili denoncoi se më 12 korrik tre persona kishin hyrë me dhunë në banesën e tij, e kishin mbajtur nën kërcënim dhe kishin tentuar t’i merrnin një shumë parash.
Si rezultat i hetimeve intensive, policia identifikoi dhe arrestoi tre autorët e dyshuar: Elkshi Xhemali, 25 vjeç, banues në Selenicë, Knidi Truja, 23 vjeç, banues në Vlorë dhe Antonio Cani, 19 vjeç, banues në Vlorë.
Sipas Policisë, autorët kishin mbajtur nën vëzhgim banesën e 70-vjeçarit për dy ditë dhe kishin marrë me qira një automjet tip “Mercedes-Benz”, i cili u sekuestrua si provë materiale.
Nga verifikimet rezultoi se njëri prej të arrestuarve kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur më herët nga gjykata për vepra penale në fushën e narkotikëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.


