Një 45-vjeçar me precedent penal për vjedhje është arrestuar nga Policia e Durrësit vetëm pak orë pasi dyshohet se grabiti një farmaci në lagjen nr. 12 të qytetit.
Sipas uniformave blu, ngjarja u zbardh në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, i cili u organizua menjëherë pas kallëzimit të punonjëses së farmacisë. Ajo denoncoi se një person kishte marrë me forcë një shumë parash nga ambientet e biznesit.
Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës identifikuan dhe arrestuan autorin e dyshuar, Gentian Gjyzeli, 45 vjeç, banues në Durrës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit.


