Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e kësaj të premteje fshatin Vidhishtë të Roskovecit, ku një 35-vjeçar dyshohet se ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij dhe ka plagosur ish-vjehrrën.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 06:00, shtetasi N. B, 35 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu ndaj ish-vjehrrit të tij, shtetasit K. P., 58 vjeç, i cili ka humbur jetën. Gjithashtu, nga të shtënat ka mbetur e plagosur ish-vjehrra e tij, shtetasja B. P., rreth 55 vjeçe, e cila është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Pas krimit, autori dyshohet se është larguar me automjet nga vendi i ngjarjes, duke marrë me vete edhe ish-bashkëshorten e tij, shtetasen R. P., si dhe armën e gjahut.
Sipas burimeve paraprake, 35-vjeçari kishte pasur konflikte të mëparshme me ish-të fejuarën dhe dyshohet se e kishte kërcënuar vazhdimisht. Për shkak të këtyre episodeve, ai ishte shoqëruar dhe arrestuar më herët nga policia, ndërsa konflikti mes tyre kishte vijuar.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë ngritur pika kontrolli në zonë, ndërsa vijon ndjekja intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.


