Turistët e huaj që zgjedhin Shqipërinë për pushimet verore do të përfitojnë shërbime në qendrat shëndetësore publike kundrejt pagesës, sipas një kuadri të ri të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Rregullat e reja u prezantuan nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, gjatë një vizite në Qendrën Shëndetësore Verore të Pogradecit. Sipas saj, sistemi i ri synon të krijojë procedura të qarta për mënyrën se si regjistrohen, trajtohen dhe tarifohen shtetasit e huaj që kërkojnë ndihmë mjekësore në institucionet publike.
Ministrja theksoi se tarifat do të jenë të publikuara paraprakisht, ndërsa pacientët do të informohen për kostot e shërbimeve përpara se të marrin trajtimin e nevojshëm.
Kuadri i ri parashikon gjithashtu raste të veçanta kur qytetarët e huaj mund të përfitojnë shërbime pa pagesë, si dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që Shqipëria ka me vende të tjera.
Sipas autoriteteve, të ardhurat e siguruara nga tarifat do të përdoren për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe për të rritur kapacitetet e institucioneve publike, veçanërisht gjatë sezonit turistik kur fluksi i vizitorëve është më i lartë.


