Protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e 21-të, ndërsa këtë të shtunë mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria, si edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora, janë mbledhur para godinës së Kryeministrisë në atë që organizatorët e kanë cilësuar si protestën më të madhe të zhvilluar deri më tani.
Tubimi nisi në sheshin “Skënderbej” dhe më pas protestuesit marshuan drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku vijojnë të qëndrojnë para Kryeministrisë. Pjesëmarrësit kanë përdorur forma të ndryshme për të shprehur qëndrimet e tyre, duke shpalosur pankarta, flamuj kombëtarë dhe duke projektuar mesazhe në muret e godinës së qeverisë.
“Albania is not for sale” dhe “Nga Zvërneci deri në Rrjoll, Shqipëria thotë boll” ishin disa nga mesazhet e afishuara me projektor, të cilat tërhoqën vëmendjen e protestuesve dhe kalimtarëve.
Nga turma janë dëgjuar vazhdimisht thirrje si “Rama në burg”, “Berisha në burg” dhe “Rama jep dorëheqjen”, ndërsa protestuesit kanë deklaruar se mobilizimi i tyre lidhet me kundërshtimin e korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së llogaridhënies dhe largimit të të rinjve nga vendi.
Pjesë e protestës janë bërë edhe dhjetëra shqiptarë të diasporës, të cilët kanë udhëtuar nga vende të ndryshme të Europës për t’iu bashkuar tubimit në Tiranë. Sipas organizatorëve, pjesëmarrja e diasporës konsiderohet një mbështetje e rëndësishme për kërkesat e protestuesve.
Kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim.
Ndërkohë, kryeministri Rama ka reaguar më herët ndaj kërkesave për dorëheqje, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe jashtë realitetit.
Situata në qendër të Tiranës po monitorohet nga forcat e policisë, ndërsa protesta vijon pa incidente të raportuara deri tani.


