Në ditën e 21-të të protestës qytetare para Kryeministrisë, vëmendjen e protestuesve e ka tërhequr një kamerë monitorimi e vendosur në tarracën e godinës së qeverisë.
Sipas pamjeve të publikuara gjatë tubimit, pajisja ishte e orientuar drejt turmës së mbledhur në bulevard, duke nxitur reagime dhe komente të ndryshme nga pjesëmarrësit. Disa prej protestuesve e vunë re kamerën gjatë zhvillimit të protestës dhe reaguan me brohorima, ndërsa të tjerë përdorën lazerë duke e drejtuar dritën në drejtim të saj.
Nga pamjet, pajisja duket të jetë një kamerë profesionale monitorimi e tipit PTZ (Pan-Tilt-Zoom), e përdorur zakonisht për mbikëqyrjen e hapësirave publike, aktiviteteve me pjesëmarrje të lartë dhe objekteve me rëndësi të veçantë. Këto sisteme kanë aftësi për të mbuluar zona të gjera dhe për të realizuar zmadhim në distanca të konsiderueshme.
Prania e kamerës u komentua gjerësisht nga protestuesit, të cilët e lidhën atë me monitorimin e zhvillimeve gjatë protestës. Nuk ka informacion zyrtar mbi funksionin konkret të pajisjes apo karakteristikat teknike të saj.


