Zbardhen detaje të reja nga dëshmia e Kristjan Sterjos, autorit të dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë.
Sterjo, i cili u arrestua rreth 6 orë pas ngjarjes, ka dhënë dëshminë e tij përpara grupit hetimor, duke folur edhe për motivin që, sipas tij, çoi në përshkallëzimin e konfliktit me viktimën.
Sipas dëshmisë së tij, një nga shkaqet e konfliktit ka qenë pretendimi se Johan Zuko kishte ngacmuar të dashurën e tij. Megjithatë, hetuesit po shqyrtojnë edhe përplasjet e mëparshme mes dy të rinjve, të cilët njiheshin prej fëmijërisë.
Dyshohet se mes tyre kishte pasur debate dhe konflikte të vazhdueshme, të lidhura edhe me pretendimet se kush konsiderohej “më i forti” në lagje. Përplasjet verbale dhe ngacmimet e ndërsjella dyshohet se e kishin përshkallëzuar marrëdhënien mes tyre.
Në ditën e ngjarjes, sipas dëshmisë së të dyshuarit, ai ka marrë një armë dhe ka shkuar në kërkim të 20-vjeçarit. Zuko është qëlluar me armë zjarri, duke marrë një plagë fatale.
Pas ngjarjes, Kristjan Sterjo është larguar nga vendi i krimit dhe ka qëndruar i fshehur në një zonë pranë varrezave të qytetit. Më pas, ai është afruar drejt banesës së tij, moment kur është pikasur nga policia dhe është arrestuar.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes. Dëshmia e të dyshuarit, së bashku me provat e mbledhura, pritet të ndihmojnë në përcaktimin e motivit dhe rrethanave të sakta që çuan në vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko.


