Kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të cilat parashikojnë masa më të rrepta ndaj drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit. Ndryshimet, të miratuara nga Kuvendi më 18 qershor dhe të botuara në Fletoren Zyrtare më 22 korrik, synojnë rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit. Sipas rregullave të reja, një drejtues mjeti që kapet për herë të dytë duke drejtuar automjetin me mbi 0.5 g/l alkool në gjak, pasi është ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, do të humbasë përfundimisht lejen e drejtimit, pa të drejtë për ta rimarrë atë.
Ndryshimet prekin edhe shoferët e rinj dhe personat që drejtojnë automjet pa patentë. Të rriturit që kapen duke drejtuar mjet pa leje drejtimi nuk do të mund të regjistrohen në autoshkollë për një vit. Për të miturit, masa është edhe më e ashpër, pasi do të duhet të presin dy vite pas mbushjes së moshës 18-vjeçare për të aplikuar për patentë.
Për drejtuesit e rinj, gjatë dy viteve të para pas pajisjes me patentë ndalohet plotësisht konsumimi i alkoolit gjatë drejtimit të automjetit. Gjithashtu, ata nuk do të mund të tejkalojnë shpejtësinë 90 km/h në autostradë dhe 80 km/h në rrugët jashtë qendrave të banuara. Shkelja e këtyre kufizimeve sjell gjoba nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës dhe heqje pikësh.
Rriten gjithashtu gjobat për tejkalimin e shpejtësisë në zonat e banuara dhe për manovrat e rrezikshme, ndërsa drejtuesit që kapen dy herë brenda një viti duke përdorur celularin gjatë drejtimit do të përballen me pezullim të patentës për tre muaj.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është se pezullimi i patentës nuk mund të shmanget më përmes pagesës së dyfishit të gjobës. Për patentat shqiptare, pezullimi do të zbatohet automatikisht, pa mundësi konvertimi në pagesë.


