Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e kësaj të mërkure Kavajën, ku një konflikt mes dy vëllezërve ka përfunduar në mënyrë tragjike me humbjen e jetës së njërit prej tyre.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 20:30, Muhamet Rreshka, 76 vjeç, dhe vëllai i tij Eqerem Rreshka, 74 vjeç, ndodheshin në një arë duke mbledhur bazën ushqimore për blegtorinë, kur mes tyre ka nisur një debat.
Konflikti dyshohet se ka agravuar, ndërsa 76-vjeçari ka goditur me thikë vëllanë e tij. Menjëherë pas ngjarjes, 74-vjeçari është transportuar me urgjencë drejt spitalit, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
Policia ka ndërhyrë në vendngjarje dhe ka shoqëruar autorin e dyshuar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e motiveve që çuan në këtë krim të rëndë brenda familjes.


