Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetim ndaj zinxhirit komandues të Komisariatit të Policisë Divjakë, nën dyshimin për shpërdorim detyre, pas zbulimit të një parcele me 1,426 bimë narkotike kanabis sativa të kultivuara në këtë zonë.
Sipas dyshimeve, drejtuesit e komisariatit nuk kanë ushtruar kontrollet e nevojshme për evidentimin dhe goditjen e parcelave të mbjella me lëndë narkotike.
Parcela me kanabis u zbulua tre ditë më parë në vendin e quajtur “Rezervuari i Divjakës”, në një sipërfaqe toke shtetërore. Gjatë operacionit u sekuestruan 1,426 bimë kanabis sativa, 37 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, si dhe 7 kilogramë kanabis në formë boçesh.
Ndërkohë, tre punonjës të Zonave të Mbrojtura po hetohen në gjendje të lirë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të përgjegjësive.


