Të paktën 18 persona kanë humbur jetën, 12 prej tyre në Kiev dhe gjashtë të tjerë në rajonin përreth, pas një sulmi masiv me raketa dhe dronë të ndërmarrë nga Rusia gjatë natës.
Forcat Ajrore të Ukrainës deklaruan se vendi po përballet me një mungesë serioze të raketave interceptuese, duke bërë të ditur se asnjë nga 23 raketat balistike të lëshuara ndaj kryeqytetit nuk u arrit të neutralizohej.
Sipas presidentit Volodymyr Zelensky, Rusia përdori gjithsej 68 raketa dhe 351 dronë sulmues, ndërsa mbrojtja ajrore ukrainase arriti të rrëzojë vetëm raketat e lundrimit dhe një pjesë të dronëve.
Pas sulmit, Zelensky u bëri thirrje aleatëve që në samitin e NATO-s të marrin vendime të forta për furnizimin e Ukrainës me sisteme të mbrojtjes ajrore, duke theksuar se sulmet ndaj zonave të banuara do të vazhdojnë për sa kohë që raketat Patriot mbeten në depot e vendeve partnere.
Nga bombardimet u dëmtuan rëndë disa pallate banimi, depo dhe objekte të tjera në Kiev, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për persona të bllokuar nën rrënoja. Autoritetet raportojnë gjithashtu dhjetëra të plagosur.
Sulmi vjen vetëm pak ditë pas një tjetër vale bombardimesh ruse ndaj Kievit, ndërsa pritet që çështja e forcimit të mbrojtjes ajrore të Ukrainës të jetë në qendër të diskutimeve në samitin e NATO-s.


