Një operacion antidrogë i zhvilluar pranë kufirit greko-shqiptar ka çuar në sekuestrimin e mbi 109 kilogramëve lëndë narkotike dhe arrestimin e një shtetasi turk, i dyshuar si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar trafiku.
Sipas informacioneve paraprake, në zonën e Nea Selefkiës, pak para hyrjes në qytetin e Igumenicës, autoritetet greke ndaluan një automjet tip “BMW” që lëvizte në rrethana të dyshimta.
Në pranga ra drejtuesi i mjetit, një shtetas turk 43-vjeçar, i cili dyshohet se ishte angazhuar nga një grup kriminal për transportimin e lëndës narkotike drejt Athinës.
Nga hetimet paraprake rezulton se droga dyshohet të ketë hyrë në territorin grek nga Shqipëria, përmes zonës së Sarandës dhe fshatrave të Konispolit, duke shfrytëzuar të ashtuquajturin “kufi i gjelbër” për të shmangur kontrollet kufitare.
Më pas, lënda narkotike dyshohet se është transportuar dhe ngarkuar në automjetin e ndaluar nga autoritetet greke.
Gjatë kontrollit të mjetit, policia gjeti dhe sekuestroi 109 kilogramë e 364 gramë lëndë narkotike, të ndarë në 102 pako dhe të paketuar në çanta sportive me ngjyrë të zezë.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbuluar origjinën e lëndës narkotike, si dhe për të identifikuar dhe arrestuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Operacioni konsiderohet një goditje e rëndësishme ndaj trafikut ndërkufitar të lëndëve narkotike mes Shqipërisë dhe Greqisë.


