Në Jug të vendit, betonizimi nuk po ndalet, edhe pse IKMT ka dalë ditë e fundit me njoftime për gjoba dhe pezullime aktiviteti. Masa që prezantohen si goditje ndaj shkeljeve mjedisore, në praktikë duken të papërfillshme përballë investimeve miliona euro në resortet luksoze, ndërsa punimet në terren vijojnë normalisht.
Mes kompanive të penalizuara janë Gjoka Konstruksion e Rrok Gjokës, Gjikuria e Lenc dhe Milo Gjikurisë, Anchor Beton e Ard Kollçakut, Eral Construction Company e Gramoz dhe Ervin Qendros, si dhe Beton Express 2018 e Mond Begës.
Ironia qëndron në faktin se të njëjtat institucione që sot publikojnë gjobat janë edhe ato që kanë dhënë lejet për projektet që po ndryshojnë përgjithmonë fytyrën e bregdetit jugor. Ndërsa publikut i serviret një spektakël “ndëshkimi”, kantieret vazhdojnë punën dhe resortet ngrihen pa asnjë pengesë.
Sipas konstatimeve të autoriteteve, kompanitë nuk kanë respektuar kushtet e përcaktuara në lejet mjedisore. Në disa zona të Palasës, Drimadhës dhe Dhërmiut janë raportuar mbetje nga gërryerja e tokës dhe inerte që përfundojnë në vijën bregdetare, duke dëmtuar një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të vendit.
Edhe pse nuk janë bërë publike shkeljet teknike për secilën kompani, raste të tilla zakonisht lidhen me hedhjen e inerteve në vende të palejuara ose pranë rrjedhave ujore, mungesën e masave për kontrollin e pluhurit në kantiere, mosfunksionimin e sistemeve të trajtimit të ujërave të ndotura nga proceset e betonit, si edhe ndërhyrje jashtë perimetrit të miratuar të ndërtimit, duke dëmtuar sipërfaqe të gjelbra dhe zonat përreth.
Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy është kontrasti mes zhurmës së bërë për gjobat dhe realitetit në terren. Punimet nuk janë ndalur, makineritë vazhdojnë të punojnë dhe resortet po ndërtohen me ritme të plota.
Në fund, mesazhi që përcillet është i qartë, mjedisi mund të dëmtohet, mjafton të paguhet një gjobë simbolike.


