Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së shtunës qytetin e Vlorës. Gazetari i News24, Enrik Mehmeti, 40 vjeç, ka humbur jetën pas një aksidenti me një motor me katër rrota (ATV) në zonën e Zvërnecit, pranë Porto Novës.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 21:40, ngjarja ka ndodhur në zonën e Dajlanit, jashtë rrugës, në një sipërfaqe bregdetare. Dyshohet se Mehmeti, duke drejtuar motomjetin me katër rrota, ka humbur kontrollin, ndërsa mjeti është përmbysur dhe është rrokullisur.
Si pasojë e aksidentit, gazetari ka pësuar dëmtime të rënda trupore, kryesisht në kraharor dhe organet jetësore. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe autoambulanca, të cilat e transportuan me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 40-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Në motomjet ndodhej edhe një pasagjer, shtetasi K. S., rreth 18 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga verifikimet paraprake rezulton se aksidenti ka ndodhur jashtë zonës rrugore dhe nuk ka përfshirë mjete të tjera apo përdorues të rrugës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.


