Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e kësaj të hëne zonën e Mirditës, ku një 45-vjeçar është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij, i dyshuar i vrarë me armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:10 në fshatin Shkorrët, përgjatë aksit rrugor Reps–Spaç. Viktima është identifikuar si Valter Lleshi, i cili u gjet pa shenja jete në automjetin me të cilin po udhëtonte. Pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët nisën veprimet për zbardhjen e rrethanave të krimit. Deri më tani nuk janë bërë të ditura motivet e ngjarjes dhe as autorët e dyshuar.
Nën drejtimin e Prokurorisë, autoritetet po punojnë për mbledhjen e provave, dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë në këtë vrasje.


