Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një godinë në zonën e Lungomares në Vlorë, ku ndodhej edhe një hotel. Flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa situata ka qenë alarmante për personat që ndodheshin brenda.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri dyshohet se ka nisur në një lokal në katin e parë. Dy frigoriferë të vendosur në hyrje të lokalit dyshohet se kanë pësuar një defekt elektrik, duke shkaktuar flakët. Megjithatë, shkaku përfundimtar do të përcaktohet nga hetimet.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në katin e dytë, ku ndodhej hoteli, si dhe në fasadën e godinës. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse dhe Policia, ndërsa godina është evakuuar për shkak të rrezikut të madh.
Situata është përshkallëzuar për shkak të flakëve dhe tymit të dendur. Sipas të dhënave paraprake, 7 persona kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në Spitalin e Vlorës. Tre prej tyre janë nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar, ndërsa katër të tjerë ndodhen në sallën e operacionit.
Gjashtë nga të dëmtuarit janë shtetas të Kosovës, ndërsa një tjetër është nga Rrësheni. Në godinë ndodheshin edhe turistë të huaj, mes tyre shtetas nga Polonia dhe Ukraina.
Për t’u shpëtuar flakëve, disa persona janë detyruar të dalin nga dritaret dhe të hidhen prej tyre, ndërsa të tjerë kanë arritur të evakuohen përmes daljeve të tjera të godinës.
Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe lokalizimit të flakëve, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


