Janë zbardhur detaje nga ekzekutimi i dyfishtë i ndodhur në zonën e Dukagjinit, ku Lekë dhe Prel Gjoni, babë e bir, u vranë në një atentat të mirëorganizuar.
Ngjarja ndodhi në fshatin Mgull të Dukagjinit, teksa dy viktimat po udhëtonin me fuoristradë në drejtim të Shkodrës. Në automjet ndodhej edhe një person i tretë, Lazer Bashi, i cili mbeti i plagosur.
Sipas burimeve, autorët u kishin zënë pritë në një kthesë pranë fshatit Xhan, rreth dy kilometra larg rrugës që lidh zonën e Pultit me Shoshin. Në drejtim të automjetit dyshohet se është qëlluar me më shumë se 50 plumba kallashnikovi.
Breshëria e plumbave ishte fatale për babë e bir, të cilët humbën jetën në vendngjarje. Ndërkohë, personi i tretë që ndodhej në sediljen e pasme arriti të mbijetojë.
Pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, i plagosuri është transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Policia dyshon se në atentat kanë marrë pjesë më shumë se një autor. Pas sulmit, autorët dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet fuoristradë.
Disa kilometra larg vendit ku ndodhi atentati, policia ka gjetur një automjet të djegur, i cili dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët për t’u larguar pas krimit.
Hetuesit po punojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së atentatit.
Motivi i krimit ende nuk është përcaktuar zyrtarisht. Një nga pistat kryesore që po hetohet është gjakmarrja, për shkak edhe të historikut të ngjarjeve të rënda kriminale në këtë zonë.
Vetëm pak më shumë se një muaj më parë, më 11 korrik, në fshatin Kir u vra me armë zjarri 40-vjeçari Aleksandër Koçeku. Ai u qëllua me breshëri plumbash teksa lëvizte nga Kiri në drejtim të Prekalit.
Në atë rast, hetimet kishin nxjerrë në pah edhe një histori të mëparshme hakmarrjeje, pasi vëllai i viktimës, Artan Koçeku, ndodhet në burg për vrasjen e Angjelin Shkambit në vitin 2017.
Policia po heton nëse dy ngjarjet mund të kenë ndonjë lidhje, ndërsa vijojnë këqyrjet në terren, mbledhja e provave dhe marrja në pyetje e personave që mund të kenë dijeni për atentatin.


