Një 40-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Palasë, pasi dyshohet se ka dhunuar dhe kanosur bashkëshorten e tij gjatë një konflikti familjar.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 13:40, në një vilë brenda një kompleksi në zonën e Palasës, ku policia është njoftuar për një konflikt familjar. Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Patrullës së Zonës, ndërsa për shkak të situatës së përshkallëzuar janë angazhuar edhe forca shtesë të Stacionit të Policisë Dhërmi.
Gjatë ndërhyrjes në banesë, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës së 40-vjeçarit në Tiranë, me mbështetjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy pako me municion luftarak dhe dy krehra me fishekë.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se shtetasi me inicialet E. K. ka ushtruar dhunë dhe ka kanosur bashkëshorten e tij.
Ndërhyrja e menjëhershme e policisë bëri të mundur neutralizimin e situatës dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
40-vjeçari është arrestuar në flagrancë dhe është shoqëruar nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier, në ambientet e Policisë.
Ndërkohë, vijojnë veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.


