Republika Demokratike e Kongos po përballet me një përkeqësim të situatës nga shpërthimi i Ebolës, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 438, duke ngritur shqetësime serioze për përhapjen e mëtejshme të virusit.
Autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar edhe një rast të ri në qytetin Kisangani, rreth 600 kilometra larg zonës ku nisi epidemia, çka ka shtuar frikën për zgjerimin e infeksionit në rajone të tjera të vendit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila e ka shpallur situatën një emergjencë shëndetësore me shqetësim ndërkombëtar, ka nisur provat klinike të dy trajtimeve eksperimentale kundër virusit. Pacienti i parë është përfshirë tashmë në këtë program, që synon të vlerësojë efektivitetin e terapive të reja.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë regjistruar 1,406 raste me Ebola, me një normë vdekshmërie mbi 31%. Shpërthimi aktual, i 17-ti në historinë e vendit, është shkaktuar nga varianti Budibugyo, për të cilin ende nuk ka vaksinë apo trajtim të miratuar.
Ndërkohë, edhe Uganda ka raportuar raste të Ebolës dhe viktima, ndërsa është konfirmuar edhe një rast i virusit Marburg, duke rritur shqetësimet për përhapjen e sëmundjeve hemorragjike në rajon.
Presidenti i Kongos, Félix Tshisekedi, u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë për mbështetje, duke theksuar se epidemitë nuk njohin kufij dhe kërkojnë bashkëpunim të ngushtë për t’u frenuar.
Përpjekjet për të kontrolluar situatën janë vështirësuar edhe nga incidentet në terren. Në një prej zonave të prekura, një qendër trajtimi u sulmua dhe u dogj nga protestues, ndërsa disa pacientë u larguan nga izolimi, duke rritur rrezikun e përhapjes së mëtejshme të virusit.


