Një aksident tragjik rrugor ka ndodhur mesditën e kësaj të diele në aksin Pogradec–Qafë Thanë, pranë fshatit Pojskë, ku përplasja e dy automjeteve ka shkaktuar humbjen e jetës së një të reje 26-vjeçare.
Sipas informacioneve paraprake, dy mjetet janë përplasur me forcë në rrethana që ende po hetohen nga autoritetet.
Si pasojë e aksidentit, disa persona kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Fatkeqësisht, një prej pasagjereve, një 26-vjeçare nga Maqedonia e Veriut që udhëtonte në automjetin me targa të huaja, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në spital.
Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve dhe personat e tjerë të përfshirë në aksident ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim mjekësor.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë aksident fatal.


