Protesta qytetare kundër qeverisë ka vijuar edhe këtë të martë në Tiranë, duke hyrë në ditën e saj të 24-të radhazi. Qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt godinës së Kryeministrisë, ku zhvilluan tubimin e radhës.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit mbajtën pankarta dhe artikuluan thirrje kundër qeverisë, ndërsa kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i kabinetit qeveritar.
Gjatë protestës u lexuan edhe pesë kërkesat zyrtare të organizatorëve, të cilat përfshijnë krijimin e një qeverie teknike tranzitore dhe jopartiake me mandat 12-mujor, si dhe ndërmarrjen e ndryshimeve të rëndësishme kushtetuese dhe ligjore
Protesta zhvillohet nën mbikëqyrjen e forcave të policisë dhe pa incidente, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e tubimeve të përditshme deri në plotësimin e kërkesave të tyre.


