Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën edhe këtë të mërkurë para Kryeministrisë në Tiranë, duke vijuar protestën që ka hyrë në ditën e saj të 25-të. Gjatë tubimit, organizatorët ritheksuan kërkesat e tyre kryesore, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor.
Nga podiumi i protestës u lexua sërish lista e kërkesave, ku përfshihen ndryshime në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, rregulla të reja për financimin e partive politike, si dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë karrierës politike.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e disa ligjeve që lidhen me zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, paketën e maleve dhe investimet strategjike, duke argumentuar se ato kanë dëmtuar interesin publik.
Gjatë fjalimeve u paralajmërua se aksionet qytetare do të vijojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa organizatorët deklaruan se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre deri në realizimin e tyre.
Protesta u zhvillua pa incidente, nën vëzhgimin e forcave të policisë, ndërsa pjesëmarrësit përsëritën thirrjet kundër klasës politike dhe kërkesat për ndryshime në drejtimin e vendit.


