Qeveria britanike po shqyrton një paketë të re masash për sigurinë online, e cila mund të sjellë ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për të rinjtë nën moshën 16-vjeçare. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri britanik, i cili ka paralajmëruar gjithashtu rregulla më të forta për platformat e lojërave online dhe transmetimet live.
Sipas deklaratave të bëra publike, autoritetet britanike synojnë të vendosin kufizime të reja deri në fund të vitit, në një përpjekje për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët nga rreziqet që lidhen me internetin dhe përdorimin e pakontrolluar të platformave digjitale.
Qeveria argumenton se masat synojnë të forcojnë sigurinë e të rinjve në hapësirën online, duke vendosur më shumë përgjegjësi mbi kompanitë e mëdha teknologjike. Ndër shqetësimet kryesore përmenden ekspozimi ndaj përmbajtjeve të dëmshme, varësia nga rrjetet sociale, bullizmi online dhe ndikimi në shëndetin mendor të të miturve.
Debati mbi kufizimin e aksesit të të rinjve në rrjetet sociale është intensifikuar muajt e fundit edhe në vende të tjera, ndërsa qeveritë po kërkojnë mënyra për të balancuar përfitimet e teknologjisë me nevojën për mbrojtjen e fëmijëve në internet.
Nëse miratohen, rregullat e reja do ta vendosnin Britaninë mes vendeve që po ndërmarrin hapat më të ashpër ndaj platformave digjitale, duke hapur një debat të gjerë mbi lirinë online, privatësinë dhe sigurinë e të rinjve.


