Kombëtarja spanjolle triumfoi me rezultatin 3-0 ndaj Austrisë, duke vazhduar ecurinë mbresëlënëse në turne, pa pësuar ende asnjë gol.
Mikel Oyarzabal ishte protagonisti absolut i sfidës, duke realizuar dy gola, ndërsa Pedro Porro shënoi golin tjetër që vulosi suksesin e “La Roja”. Spanja dominoi ndeshjen nga fillimi në fund, krijoi raste të shumta dhe kontrolloi plotësisht lojën.
Me këtë fitore, skuadra spanjolle siguron kalimin në raundin tjetër, ku do të përballet me fituesin e çiftit Portugali–Kroaci.
Në sfidën tjetër, Shtetet e Bashkuara mposhtën 2-0 Bosnje-Hercegovinën në “Levi’s Stadium”, duke siguruar kualifikimin në 1/16 e finales.

Folarin Balogun zhbllokoi rezultatin në fundin e pjesës së parë, por në minutën e 64-t u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së rrezikshme ndaj Tarik Muharemović.
Edhe pse me një lojtar më pak, amerikanët ruajtën avantazhin dhe në minutat e fundit Malik Tillman realizoi një supergol nga goditja e dënimit, duke vulosur fitoren 2-0.
Bosnja nuk arriti të përfitonte nga superioriteti numerik dhe eliminohet nga turneu në paraqitjen e saj të parë në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës.
Në raundin e ardhshëm, SHBA do të përballet me Belgjikën në një duel që pritet të jetë ndër më të fortët e fazës së 1/16-ve.


