Botërori 2026 dhuroi emocione të mëdha në fazën e 1/8-ave, ku Norvegjia eliminoi Brazilin me rezultatin 2-1, ndërsa Anglia siguroi kualifikimin në çerekfinale pas fitores spektakolare 3-2 ndaj Meksikës.
Në “MetLife Stadium” të New Jersey-t, heroi i norvegjezëve ishte Erling Haaland. Sulmuesi realizoi dy gola në minutat e fundit të takimit, duke i dhënë Norvegjisë një fitore historike dhe kualifikimin e parë ndonjëherë në çerekfinalet e Kupës së Botës.
Brazili pati mundësinë të kalonte në avantazh në pjesën e parë, por Bruno Guimarães humbi një penallti, ndërsa portieri Ørjan Nyland zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme me disa pritje vendimtare. Neymar ngushtoi diferencën në minutat shtesë me penallti, por ishte tepër vonë për “Seleçaon”.
Në ndeshjen tjetër, Anglia mposhti Meksikën 3-2 në “Estadio Azteca”, në një duel të mbushur me gola, emocione dhe karton të kuq.

Jude Bellingham realizoi dy herë në pjesën e parë, ndërsa Harry Kane shënoi golin e tretë nga pika e bardhë e penalltisë. Anglia luajti për më shumë se gjysmë ore me një lojtar më pak pas përjashtimit të Jarell Quansah, por arriti të ruante avantazhin deri në fund.
Për Meksikën shënuan Julián Quiñones dhe Raúl Jiménez, por golat nuk mjaftuan për të shmangur eliminimin.
Në çerekfinale, Norvegjia do të përballet me Anglinë në një duel që premton spektakël për një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Botës.


