Mjetet inteligjente dhe dronët e Policisë së Shtetit kanë intensifikuar kontrollet në rrugët e vendit, duke evidentuar mijëra shkelje të rregullave të qarkullimit. Vetëm gjatë javës së fundit janë vendosur 1,100 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë.
Sipas drejtuesit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, disa prej drejtuesve të automjeteve janë kapur duke lëvizur me shpejtësi deri në 230 km/h, duke rritur ndjeshëm rrezikun për aksidente të rënda.
Gjatë një inspektimi, Hita bëri të ditur se kontrollet me mjete inteligjente dhe dronë po luajnë një rol të rëndësishëm në evidentimin e shkeljeve në rrugët e vendit.
Ndërkohë, të dhënat e Policisë tregojnë se gjatë një viti 1,075 drejtuesve u është hequr leja e drejtimit, pasi kanë humbur të gjitha pikët e patentës. Po ashtu, janë proceduar 1,060 raste për drejtim të automjetit pa leje drejtimi.
Kamerat do të lidhen me Qendrën Kombëtare
Kontrollet pritet të bëhen edhe më të avancuara me funksionalizimin e kamerave të Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut Rrugor.
Sipas Policisë, kamerat do të integrohen me sistemin e Policisë së Shtetit, duke mundësuar monitorim më të saktë të shkeljeve në akset kryesore interurbane.
Kjo teknologji synon jo vetëm evidentimin dhe ndëshkimin e shoferëve që shkelin rregullat, por edhe parandalimin e sjelljeve të rrezikshme në rrugë.
“Nuk është në fokusin tonë që vetëm të evidentojmë shkelje. Në fokusin tonë është të ndërgjegjësojmë qytetarët, të parandalojmë këto shkelje dhe të mos kemi aksidente fatale. Një rregull i respektuar është një jetë e shpëtuar”, u shpreh kreu i Policisë së Shtetit.
Me zgjerimin e përdorimit të kamerave, dronëve dhe mjeteve inteligjente, autoritetet synojnë të rrisin kontrollin e trafikut dhe të identifikojnë në kohë shkeljet që mund të çojnë në aksidente të rënda.


