Një aksident rrugor ka ndodhur këtë paradite në aksin rrugor Fier–Lushnjë, pranë fshatit Vajkan, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe kanë përfunduar në kanalin anësor të autostradës.
Si pasojë e përplasjes së fortë, katër persona kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit. Sipas të dhënave paraprake, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
Aksidenti ka shkaktuar edhe probleme me qarkullimin, pasi njëra prej korsive është bllokuar. Për pasojë, janë krijuar radhë kilometrike automjetesh në këtë aks, i cili gjatë sezonit veror ka një fluks të lartë qarkullimi.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit, ndërsa vijojnë punën për normalizimin e trafikut.


