Një automjet ka përfunduar në kanal pasditen e kësaj të enjteje në autostradën Tiranë–Durrës, pranë Urës së Dajlanit, pasi drejtuesi i tij dyshohet se ka tentuar t’i shmangej kontrollit të Policisë Rrugore.
Sipas informacioneve paraprake, shoferi nuk i është bindur sinjalit të efektivëve për të ndaluar, duke vijuar lëvizjen. Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të automjetit, por gjatë tentativës për t’u larguar, drejtuesi ka humbur kontrollin dhe makina ka dalë nga rruga, duke përfunduar në kanal.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur nxjerrjen e drejtuesit nga automjeti. Ai është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Paraprakisht dyshohet se shoferi ka qenë nën ndikimin e alkoolit, ndërsa pritet verifikimi i plotë i rrethanave të aksidentit nga autoritetet.


