Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është paraqitur këtë të martë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e shoqëruar nga avokati i saj, Ardian Kalia.
Pas daljes nga ambientet e SPAK, Kalia deklaroi shkurtimisht për mediat se çështja ndodhet ende në fazën e hetimeve dhe se ato do të zgjasin më tej.
“Jemi në fazë hetimesh, do të ketë dhe një zgjatje”, u shpreh avokati i Ballukut.
Sipas informacioneve të bëra publike, Ballukut i është komunikuar zgjatja e afatit të hetimeve deri në janar të vitit 2027.
Ish-zëvendëskryeministrja është marrë zyrtarisht e pandehur nga SPAK në lidhje me procedurat e tenderimit për projektin e Unazës së Madhe dhe Tunelin e Llogarasë.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, ndaj Ballukut rëndojnë akuza për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim, për tetë raste, si dhe akuza për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka raportuar gjithashtu sekuestrimin e dy vilave, një në Dhërmi dhe një në Palasë, për të cilat dyshohet se janë regjistruar në emër të ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare.
Hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa pritet që organi i akuzës të kryejë veprime të mëtejshme për dokumentimin e dyshimeve të ngritura. Përgjegjësia penale e personave të përfshirë përcaktohet nga gjykata me vendim përfundimtar.


