Protestat e të rinjve kanë vijuar edhe këtë të premte në disa qytete të vendit, ku gjimnazistë dhe studentë kanë bojkotuar mësimin për të dalë në rrugë. Ndërsa në disa qytete tubimet janë zhvilluar pa incidente të raportuara, në Lezhë situata është tensionuar, duke sjellë përplasje fizike mes protestuesve dhe Policisë.
Lezha, Shkodra, Burreli, Laçi, Elbasani, Korça dhe Vlora janë përfshirë në protestat që kanë hyrë në ditën e dytë në rrethe. Të rinjtë kanë braktisur procesin mësimor për të shprehur pakënaqësitë e tyre, ndërsa situata më e tensionuar është regjistruar në Lezhë.

Atje, protestuesit janë përplasur fizikisht me efektivët e Policisë, ndërsa në drejtim të një gjimnazi janë hedhur gurë. Më pas, uniformave blu u është dhënë urdhër të tërhiqen dhe të shmangin përplasjet me të rinjtë.
Ndërkohë, në Tiranë ishte njoftuar zhvillimi i një tjetër proteste për orën 10:00, por deri në momentin e raportimit protestuesit nuk ishin mbledhur. Gjatë tri ditëve të mëparshme, tubimet në kryeqytet kanë nisur pranë Ministrisë së Arsimit dhe janë shoqëruar me episode të rënda dhune, dëmtime të institucioneve dhe bizneseve private.
Rama viziton bizneset e dëmtuara në Tiranë
Pas akteve të dhunës të një nate më parë, kryeministri Edi Rama ka vizituar bizneset private të dëmtuara nga zjarret e vendosura gjatë protestës në Tiranë.

Gjatë vizitës, Rama është shprehur se dhuna dhe shkatërrimi i pronës nuk përfaqësojnë studentët.
“Kjo flakë nuk është e studentëve, edhe këtë sprovë do ta kalojmë bashkë”, ka deklaruar kryeministri.
Ndërkohë, situata e protestave mbetet e tensionuar, veçanërisht pas episodeve të dhunshme të regjistruara në Tiranë dhe përplasjeve të fundit në Lezhë. Paralelisht, vijojnë zhvillimet lidhur me personat e arrestuar gjatë protestave, ndërsa për njërin prej tyre gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”.


