Një 24-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi në banesën e tij janë zbuluar dhe sekuestruar 344 kuti me lëndë piroteknike të kontrabanduara, me vlerë rreth 40 mijë euro.
Operacioni policor, i koduar “Fireworks”, u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për magazinimin e një sasie të konsiderueshme lëndësh piroteknike në një banesë.
Sipas Policisë, 24-vjeçari me inicialet E. R. dyshohet se i furnizonte me këto materiale persona të maskuar dhe të dhunshëm, të cilët kanë marrë pjesë në protestat e zhvilluara gjatë tri ditëve të fundit.
Lëndët piroteknike u zbuluan gjatë kontrollit në katin e parë të banesës së të arrestuarit, në rrugën “Jargavani”, në Tiranë.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme, si dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.


