Ish-drejtuesi i repartit zjarrfikës në Mallakastër, Armand Aliaj, është dhunuar mëngjesin e sotëm në lokalin e tij në Ballsh nga disa persona të maskuar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00, teksa Aliaj ndodhej i vetëm në ambientet e lokalit. Sipas dëshmisë së tij, ai sapo kishte përgatitur kafen, kur autorët e kanë goditur pas shpine me një levë, pa i thënë asnjë fjalë.
Pas sulmit, personat e maskuar janë larguar me një automjet tip “Audi Q5”.
I dëmtuari ka shkuar vetë në spitalin e Ballshit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Ai ka pësuar dëmtime në ballë, duar dhe në zonën e shpatullës, ndërsa për shkak të plagës në ballë ka pasur nevojë për qepje.
Më pas, Aliaj është transportuar drejt Spitalit të Fierit për ekzaminime të mëtejshme. Gjendja e tij shëndetësore raportohet e qëndrueshme.
Sipas deklarimeve të tij, ish-drejtuesi i zjarrfikëses nuk ka konflikte me persona të tjerë. Ndërkohë, motivet e sulmit mbeten ende të paqarta.
Pas ngjarjes, Policia ka mbërritur në spitalin e Ballshit për të mbledhur informacion mbi rrethanat e dhunimit. Hetimet pritet të hedhin dritë mbi identitetin e autorëve dhe shkaqet e këtij sulmi.


