Një shpërthim me lëndë të dyshuar plasëse është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në Tiranë, ku objektiv ka qenë automjeti në pronësi të Nexhi Beqirit, bashkëshortes së avokatit Idajet Beqiri.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:15, në rrugën “Nikolla Lena”, pranë zonës së “Myslym Shyrit”, ku automjeti ndodhej i parkuar para një pallati.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se makinës i është vendosur një sasi tritoli, shpërthimi i së cilës ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Mësohet se avokati Idajet Beqiri ndodhet jashtë vendit, ndërsa motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave përgjegjës.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 09:15, në rrugën “Nikolla Lena”, para një pallati, ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar plasëse, e vendosur në automjetin e parkuar në pronësi të shtetases N. B.
Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.


