Një aksident është regjistruar mëngjesin e kësaj të shtune në autostradën Lushnjë-Fier, ku janë përplasur dy automjete.
Nga përplasja, fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar rëndë, ndërsa automjetet kanë pësuar dëme materiale.
Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip Ford po kalonte nga njëra anë e rrugës drejt krahut tjetër, në aksin Krutje-Këmishtaj, kur është përplasur me një automjet tip Mercedes-Benz, i cili po lëvizte në drejtimin Lushnjë-Fier.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë nisur dokumentimin e aksidentit dhe kanë ndërhyrë për menaxhimin e trafikut, i cili është rënduar në orët e para të mëngjesit.
Zona ku ndodhi aksidenti është konsideruar prej vitesh problematike për shkak të numrit të lartë të përplasjeve të regjistruara. Banorët dhe drejtuesit e mjeteve kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për sigurinë rrugore në këtë segment, ndërsa situata vijon të mbetet problematike.
Shkaqet e plota të aksidentit pritet të përcaktohen pas hetimeve të Policisë Rrugore.


