Të paktën 11 persona kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me armë zjarri pranë një shkolle të mesme në provincën Manisa, në perëndim të Turqisë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00 me kohën lokale, pranë shkollës së mesme profesionale dhe teknike “Inci Üzmez”. Sipas autoriteteve lokale, një person ka hapur zjarr dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Guvernatoria lokale ka njoftuar se i dyshuari është ndaluar nga autoritetet. Ndërkohë, të plagosurit janë transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Sipas raportimeve të mediave turke, dy prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.
Pamje të kamerave të sigurisë, të publikuara në internet, duket se tregojnë një person të armatosur në një rrugë pranë shkollës, ndërsa në pamje të tjera ai shihet duke u larguar nga zona me armën në dorë.


Motivi i sulmit nuk është bërë ende i ditur dhe autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Mediat turke kanë raportuar se personi i dyshuar mund të jetë një nxënës 15-vjeçar, por ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Ministria turke e Arsimit ka reaguar pas ngjarjes, duke e cilësuar atë si një incident që ka shkaktuar tronditje të thellë në vend dhe veçanërisht në komunitetin arsimor.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e sulmit, identitetin e personit të dyshuar dhe motivin që qëndron pas ngjarjes.


