Gjykata e Posaçme (GJKKO), me kërkesë të SPAK, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Krahas kësaj mase, Hyseni është pezulluar edhe nga detyra.
Sipas raportimeve të para, masa është caktuar në kuadër të një hetimi të SPAK, i cili lidhet me dosjen e AKSHI-t. Megjithatë, deri në këto momente nuk janë bërë publike në mënyrë të plotë veprat konkrete penale apo rrethanat për të cilat Hyseni po hetohet.
Vlora Hyseni mori drejtimin e SHISH në prill të vitit 2023, pasi u emërua me dekret të Presidentit të Republikës. Sipas të dhënave zyrtare të SHISH, ajo është drejtoresha e 11-të e institucionit.
Përpara emërimit në krye të shërbimit inteligjent shqiptar, Hyseni kishte një karrierë në strukturat e sigurisë dhe inteligjencës në Kosovë. Më pas, ajo shërbeu edhe si këshilltare për sigurinë kombëtare pranë Kryeministrit Edi Rama.
Hyseni ka qenë gjithashtu në qendër të akuzave të përsëritura politike nga opozita, ndërsa emri i saj është përmendur në debate të ndryshme lidhur me drejtimin e SHISH.
Hetimet e SPAK vijojnë, ndërsa pritet që në vijim të bëhen publike më shumë detaje mbi dosjen dhe dyshimet konkrete që kanë çuar në caktimin e masës së sigurisë.


