Një aksident i rëndë rrugor ka shkaktuar një tragjedi në Glyfada të Athinës, ku tre të rinj nga Fieri kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, rreth orës 02:00, në kryqëzimin e bulevardit Poseidonos me rrugën Kalypsous. Automjeti me të cilin udhëtonin pesë të rinjtë ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin rrethues të një hoteli.
Tre prej të rinjve kanë humbur jetën si pasojë e përplasjes, ndërsa dy të mbijetuarit, të dy 18 vjeç, janë transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Njëri prej tyre raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas raportimeve të mediave greke, një nga pistat që po hetohet është ajo se të rinjtë mund të kenë qenë duke zhvilluar një garë shpejtësie me një automjet tjetër. Gjithashtu, dyshohet se në momentin e aksidentit mund të kenë qenë duke regjistruar një video për TikTok.
Megjithatë, deri tani nuk ka prova që konfirmojnë përfshirjen e një automjeti të dytë në aksident. Policia greke po shqyrton pamjet e kamerave të sigurisë dhe po merr dëshmi për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit tragjik.

Pamje nga aksidenti


