Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në drejtimin e Prokurorisë, ka finalizuar operacionin e koduar “Identiteti”, në kuadër të një hetimi për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Në kuadër të operacionit, është ekzekutuar masa e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për dy persona të dyshuar për shpërdorim detyre.
Masa është caktuar për O. O., 44 vjeçe, banuese në Tiranë dhe punonjëse e një njësie administrative në kryeqytet, si dhe A. K., 30 vjeç, banues në Tiranë dhe specialist IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim D. I. alias I. K. alias I. A., 41 vjeç, banues në Tiranë, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Sipas hetimeve, 41-vjeçari dyshohet se ka aplikuar për ndryshimin e emrit duke përdorur një dokument identifikimi të falsifikuar. Ndërkohë, dy punonjësit e pezulluar dyshohet se kanë kryer procedurat që pasuan aplikimin, pa realizuar verifikimet përkatëse mbi dokumentacionin e paraqitur.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


