Biznesmeni Samir Mane është paraqitur këtë të mërkurë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku ka qëndruar për rreth dy orë, në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe vilën luksoze në kompleksin “Green Coast” në Palasë.
Mane mbërriti në ambientet e SPAK rreth orës 18:00. Para tij, gjatë së njëjtës ditë, në Prokurorinë e Posaçme u paraqitën edhe arkitektët Alban dhe Olsi Eftimi, drejtues të studios “Atelier 4”.
Sipas burimeve të raportuara, paraqitja e tyre lidhet me verifikimet që SPAK po kryen për vilën nr. 188/1 në Palasë, e cila është sekuestruar nga Prokuroria e Posaçme. Hetuesit dyshojnë se pasuria mund të jetë zotëruar në mënyrë faktike nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Emri i studios “Atelier 4” është përfshirë në hetime për shkak të materialeve, projekteve dhe komunikimeve elektronike që lidhen me vilën. Në materialet e sekuestruara, sipas të dhënave të bëra publike nga dosja, janë gjetur preventivë, planimetri dhe dokumente që lidhen me projektimin, arredimin dhe punimet në pronë.
Në fokus janë edhe komunikimet e Alban Eftimit me Belinda Ballukun. Në një email të shtatorit 2020, Eftimi i dërgonte Ballukut ndryshime të projektit dhe detaje mbi arredimin e vilës, përfshirë pishinën “infinity”, vaskat hidromasazhi, përdorimin e drurit “teak” dhe mermerit. Në një tjetër komunikim janë përcjellë planimetri dhe projekte për dy vila.
Sipas SPAK, vila, deri në fazën e karabinasë, dyshohet se është financuar nga ish-futbollisti Igli Tare, ndërsa punimet e mëtejshme dhe ndërtimi i pishinës dyshohet se janë financuar nga biznesmeni Arbër Abazi, administrator i kompanisë “Alko Impex General Construction”.
Në dokumentet e sekuestruara në ambientet e “Atelier 4”, sipas raportimeve mbi dosjen hetimore, janë evidentuar pagesa të kompanisë së Abazit me vlera që variojnë nga 288 mijë deri në 410 mijë euro.
Lidhja e pronës me kompleksin “Green Coast” në Palasë ka sjellë në fokus edhe emrin e Samir Manes. Më herët, BKH ka ushtruar kontrolle në vilën dhe ambientet e biznesit të tij, ndërsa gjatë kontrolleve është sekuestruar edhe telefoni celular i biznesmenit.
Në atë fazë, hetimet lidhnin emrin e Manes me verifikimet mbi investimet dhe aktivitetin që lidhet me projektin “Green Coast” në Palasë.
Paraqitja e Manes në SPAK, pas marrjes në pyetje të vëllezërve Eftimi, vjen në një moment kur Prokuroria e Posaçme po verifikon rolin dhe dijeninë e personave të ndryshëm mbi mënyrën e porositjes, projektimit, financimit dhe përfundimit të vilës së sekuestruar.
Hetimet ndaj Belinda Ballukut përfshijnë dyshime të ngritura nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në këtë fazë, bëhet fjalë për akuza dhe dyshime të organit të akuzës, ndërsa përgjegjësia penale përcaktohet vetëm me një vendim gjyqësor të formës së prerë.


