Tre persona janë arrestuar në Elbasan në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Roli”, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin përgatisnin, ndanin në doza dhe shisnin lëndë narkotike.
Në pranga ka rënë një 18-vjeçar, i cili dyshohet se kryente aktivitetin e paligjshëm në lokalin ku punonte si kamerier, në fshatin Mjekës, si dhe në banesën e tij.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, i riu dyshohet se vepronte në bashkëpunim me vëllain e tij 24-vjeçar dhe me 26-vjeçarin që kishte marrë me qira lokalin.
Gjatë kontrolleve në ambientet e lokalit, janë gjetur dhjetëra doza të dyshuara kokaine dhe Cannabis Sativa, së bashku me mjete që dyshohet se përdoreshin për përgatitjen dhe ndarjen e lëndës narkotike.
Kontrolli është shtrirë edhe në banesën e 18-vjeçarit, ku janë gjetur sasi dhe doza të dyshuara Cannabis Sativa, si dhe një shkop metalik.
Në total, policia ka sekuestruar dhjetëra doza lëndësh narkotike, 6 grirëse materiali bimor, 3 peshore elektronike, 2 celularë dhe 1 shkop metalik.
Tre personat janë arrestuar dhe materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Përgatiste dhe shiste doza Kokaine dhe Cannabisi, në lokalin ku ishte i punësuar si kamerier, dhe në banesë, bashkë me vëllanë, arrestohet 18-vjeçari.
Gjithashtu në pranga, vëllai i 18-vjeçarit dhe shtetasi që kishte marrë me qira lokalin e përshtatur për këtë veprimtari kriminale.
Sekuestrohen dhjetëra doza të lëndëve narkotike, 6 grirëse materiali bimor, 3 peshore elektronike, 2 celularë dhe 1 shkop metalik.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, dhe të drejtuara nga Prokuroria e Elbasanit, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale të 3 shtetasve, të cilët në bashkëpunim, shitnin lëndë narkotike, në doza, u finalizua operacioni i koduar “Roli”.
Gjatë operacionit u konstatua se një lokal në fshatin Mjekës, ishte vënë në dispozicion të përgatitjes, ndarjes në doza dhe shitjes së lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa.
Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan shtetasi që kishte marrë me qira lokalin dhe kamerieri, D. R., 26 vjeç dhe L. Q., 18 vjeç, të dy banues në fshatin Mjekës. Nga kontrollet në ambientet e lokalit u gjetën doza të këtyre lëndëve, si dhe mjete që shërbenin për përgatitjen e dozave.
Më tej, u krye kontroll në banesën e 18-vjeçarit, ku u gjetën sasi dhe doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, si dhe një shkop metalik, që dyshohet se posedoheshin nga vëllai i 18-vjeçarit, shtetasi E. Q., 24 vjeç, i cili në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


