Një ngjarje e rëndë është regjistruar në ambientet e Spitalit Memorial në Fier, ku një mjek kirurg është sulmuar me thikë nga një punonjës i këtij spitali.
Bëhet fjalë për mjekun Juljan Malaj, i cili më herët ka trajtuar edhe të shumëpërfolurin Duman.
Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka nisur brenda ambienteve të spitalit, ku mjeku Malaj dhe një punonjës me detyrë kaldaist janë përfshirë fillimisht në një konflikt fizik, gjatë të cilit dyshohet se janë goditur me grushte.
Pas përplasjes, mjeku është larguar nga ambientet e spitalit. Punonjësi dyshohet se e ka ndjekur Malajn jashtë godinës, duke mbajtur në dorë një thikë, me të cilën më pas e ka sulmuar.
Pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ndërsa rrethanat dhe shkaqet që çuan në konflikt mbeten ende për t’u sqaruar.
Mjeku Juljan Malaj është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po merr ndihmën mjekësore.
Deri në këto momente, nuk ka ende një njoftim zyrtar nga Policia lidhur me ngjarjen dhe as të dhëna të plota për gjendjen shëndetësore të mjekut.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe sulmit.


