Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur vendimin e shkallës së parë për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Trupi gjykues i shpalli fajtorë të katër të akuzuarit për krime lufte, ndërsa rrëzoi akuzat për krime kundër njerëzimit, duke arsyetuar se Prokuroria nuk arriti të provojë një nga elementët thelbësorë të kësaj vepre penale.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite burgim. Në total, dënimet arrijnë në 81 vite burg.
Sipas vendimit të gjykatës, katër ish-krerët u gjetën përgjegjës për vepra që lidhen me ndalimin arbitrar ose të paligjshëm, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjet e paligjshme.
Gjatë leximit të vendimit, trupi gjykues theksoi se çështja gjyqësore nuk kishte të bënte me luftën e Kosovës në tërësi apo me shtetin e Kosovës, por me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve për krimet e përfshira në aktakuzë.
Gjykata: 385 persona u ndaluan në qendrat e UÇK-së
Sipas konstatimeve të trupit gjykues, rreth 385 persona u ndaluan në qendra të ndryshme të UÇK-së në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Gjykata tha se një pjesë e viktimave u arrestuan në banesat e tyre ose në rrugë dhe më pas iu nënshtruan keqtrajtimeve fizike dhe psikologjike. Sipas vendimit, personat e ndaluar dyshoheshin si bashkëpunëtorë ose spiunë, ndërsa në mesin e tyre kishte edhe gra dhe fëmijë.
Trupi gjykues konstatoi gjithashtu se në disa prej qendrave të ndalimit ishin krijuar kushte çnjerëzore dhe se të ndaluarit ishin përballur me dhunë dhe kërcënime.
Gjykata arriti në përfundimin se Prokuroria kishte provuar edhe raste të torturës dhe trajtimit mizor, si dhe vrasjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime gjatë periudhës prill 1998 – qershor 1999.
Një tjetër element i rëndësishëm i vendimit lidhet me konstatimin e trupit gjykues se katër të akuzuarit kishin vepruar në kuadër të një qëllimi të përbashkët për shënjestrimin dhe eliminimin ose neutralizimin e personave që konsideroheshin pengesë.
Përgjegjësia është analizuar veçmas për secilin prej tyre.
Për Hashim Thaçin, gjykata e cilësoi si një figurë kyçe në zbatimin e qëllimit të përbashkët dhe tha se ai kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh dhe nuk ndërmori hapa për t’i parandaluar apo ndëshkuar.
Për Kadri Veselin, trupi gjykues tha se ai kishte një rol kyç në zbatimin e planit dhe se kishte marrë pjesë dhe kishte inkurajuar kryerjen e krimeve.
Sa i takon Jakup Krasniqit, gjykata tha se ai kishte përdorur rolin e tij në UÇK për të promovuar politikën e shënjestrimit të kundërshtarëve dhe se nuk kishte ndërhyrë për parandalimin e krimeve, pavarësisht dijenisë për to.
Ndërsa për Rexhep Selimin, gjykata konstatoi se ai kishte inkurajuar dhe marrë pjesë në kryerjen e krimeve, si dhe kishte dijeni për keqtrajtimet dhe vrasjet.
Në përfundim të procesit të leximit të aktgjykimit, Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën këto dënime:
- Hashim Thaçi – 25 vite burg
- Jakup Krasniqi – 25 vite burg
- Kadri Veseli – 18 vite burg
- Rexhep Selimi – 13 vite burg
Të katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën fajtorë për krime lufte, ndërsa akuzat për krime kundër njerëzimit u rrëzuan.
Vendimi i shpallur më 16 shtator është vendim i shkallës së parë dhe ndaj tij parashikohen procedurat e ankimit.


