Karrigia e Ministrisë së Brendshme duket se nuk po mban gjatë askënd. Vetëm pak muaj pasi mori drejtimin e dikasterit, Besfort Lamallari largohet nga posti i ministrit dhe rikthehet në Kryeministri, këtë herë në krah të Edi Ramës.
Lëvizja është njoftuar nga vetë kryeministri, i cili ka bërë të ditur se Ministria e Brendshme do t’i besohet Ervin Demos, deri tani Ministër Shteti për Pushtetin Vendor.
Lamallari mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme në mars të vitit 2026, pas largimit të Albana Koçiut. Por qëndrimi i tij në krye të një prej ministrive më të rëndësishme të vendit ka zgjatur vetëm disa muaj.
Rama tha se Lamallari do të kalojë në Kryeministri, duke e cilësuar lëvizjen si një ndryshim brenda ekipit.
“Lamallari nga drejtimi i ministrisë së Brendshme kalon në stolin tim bashkë me mua dhe ekipin këtu në Kryeministri”, deklaroi Rama.
Në vend të tij, Ervin Demo do të marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Me këtë ndryshim, edhe çështjet e pushtetit vendor do të rikthehen nën përgjegjësinë e kësaj ministrie.
Ndryshimet në detyrat e Lamallarit kanë qenë të shpeshta. Në shtator 2025 ai mori drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa vetëm gjashtë muaj më vonë kaloi në krye të Ministrisë së Brendshme. Më herët, ai kishte mbajtur edhe postin e zëvendësministrit të Brendshëm.
Tashmë, Lamallari largohet nga një tjetër post ministror dhe rikthehet në Kryeministri, ndërsa Ervin Demo bëhet emri i ri në krye të Ministrisë së Brendshme.
Një tjetër lëvizje në skuadrën e Ramës, ku postet ministrore duket se po ndryshojnë me një ritëm gjithnjë e më të shpejtë.


