Një tjetër goditje e rëndë ditën e sotme për çiftin e moshuar në Levan të Fierit. Vetëm tre ditë pasi zjarri i shkrumboi punishten ku Barjam Sulejmani kishte punuar për më shumë se 30 vite, flakët kanë përfshirë edhe banesën e tij.
Zjarri ka shkatërruar plotësisht banesën, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Në momentin e rënies së zjarrit, objekti ishte i pabanuar, ndërsa bashkëshortja e Sulejmanit jetonte me qira në një tjetër banesë.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak i zjarrit mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike. Megjithatë, shkaku i saktë pritet të përcaktohet nga grupi hetimor, i cili ka nisur verifikimet në vendngjarje.
Shërbimet zjarrfikëse ndërhynë për shuarjen e flakëve, por nuk mundën të shpëtonin banesën.
Fatmirësisht, nga zjarri nuk raportohet për persona të lënduar. Për çiftin, megjithatë, kjo është një tjetër humbje e rëndë brenda pak ditësh, pasi tashmë kanë mbetur pa pronën dhe pa mundësi të menjëhershme për strehim.


