Gjykata e Vlorës ka caktuar masat e sigurisë për personat e arrestuar pas konfliktit të armatosur mes dy biznesmenëve, Vasil Bedinaj dhe Luan Muça, në ambientet e hotelit “Regina”.
Për biznesmenin Luan Muça është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, ndërsa Angjelo Breshani do të qëndrojë në “arrest në shtëpi”.
Ndërkohë, Gjykata ka caktuar “arrest në burg” për Blerim Hetën, Klaudjo Lleshajn dhe Mandrit Lleshajn, pronarin e kompanisë “SWAT Security”.
Në lidhje me ngjarjen janë shpallur në kërkim edhe 6 persona, mes tyre Bujar Muça, vëllai i Luan Muçës, i cili dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë përplasjes.
Në qendër të konfliktit dyshohet se qëndron një mosmarrëveshje për pronësinë e tokës në Palasë. Sipas të dhënave të bëra publike, të dy biznesmenët pretendojnë të drejta mbi sipërfaqe toke në këtë zonë dhe kishin plane për zhvillimin e tyre.
Përplasja e armatosur ka ndodhur më 3 shtator, ku një grup personash të armatosur, mes të cilëve dyshohet se ndodhej edhe Luan Muça, janë përplasur me Vasil Bedinajn dhe personat që e shoqëronin.
Pas incidentit, Bedinaj ka pretenduar se është kërcënuar dhe se ndaj tij është kërkuar një shumë prej rreth 5 milionë eurosh, së bashku me kërkesën për t’u larguar nga Shqipëria brenda 48 orësh.
Ngjarja nuk është kufizuar vetëm në ambientet e hotelit, pasi dyshohet se përplasja ka vijuar edhe gjatë largimit të personave me automjete.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të konfliktit dhe përcaktimin e përgjegjësive për personat e përfshirë.


