Mëngjesi i kësaj të hëne ka nisur me një bilanc tragjik në rrugët e vendit, ku dy aksidente të rënda në Fier dhe Durrës kanë shkaktuar 2 viktima dhe 9 të plagosur.
Në autostradën Durrës-Tiranë, pesë automjete janë përfshirë në një aksident zinxhir. 45-vjeçari Hysen Balla ka humbur jetën në vend, pasi automjeti me të cilin udhëtonte është përplasur me pjesën e pasme të një kamioni.
Tre automjete që vinin pas janë përplasur me makinën e 45-vjeçarit, ndërsa si pasojë janë plagosur 5 pasagjerë. Drejtuesja e njërit prej automjeteve është larguar nga vendngjarja dhe më pas është shoqëruar nga Policia për të sqaruar rrethanat e aksidentit.
Ndërkohë, një tjetër aksident fatal ka ndodhur në aksin Levan-Tepelenë, ku humbi jetën 55-vjeçari Dashmir Beca. Automjeti “Audi” që drejtohej prej tij u përplas me një automjet tip “Benz”.

Si pasojë e përplasjes, Beca humbi jetën në vendngjarje, ndërsa drejtuesi i “Benz”-it, 40-vjeçari Gesti Muskaj, dhe tre pasagjerë u transportuan në spital. Ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i Policisë për aksidentin në Levan-Tepelenë:
Në aksin rrugor “Levan-Tepelenë”, shtetasi G. M., 40 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, është përfshirë në një aksident rrugor me një automjet tip “Audi”, me drejtues shtetasin D. B., 55 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit tip “Audi”, shtetasi D. B., ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi G. M., si dhe tre pasagjerët që ndodheshin në automjetin tip “Audi”, janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Në të dyja ngjarjet, grupet hetimore po punojnë për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidenteve.


